Fillimisht Ministri Hoxhaj dhe Minstrja Çitaku kanë zhvilluar një takim me Zëvendëskancelarin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger.
Në këtë takim është kërkuar përkrahja e Austrisë për procesin e integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës. Me këtë rast Ministri Hoxhaj ka thënë se është e papranueshme që edhe më tutje kosovarët të jenë qytetarët e vetëm të cilët nuk gëzojnë lëvizjen pa viza në zonën Shengen.
Sipas Hoxhajt dhe Çitakut, është koha e fundit që Republika e Kosovës të marrë udhërrëfyesin, të nënshkruhen marrëdhëniet kontraktuale dhe të fillojë studimi i fizibilitetit për marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkim Evropian.
Ata kanë pasur një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, János Martonyi, nga i cili kanë kërkuar mbështetjen e Hungarisë për ofrimin e përvojës në procesin e integrimeve evropiane.
Edhe në takimin e punës me Nickolay Mladenov, Ministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Ministri Hoxhaj dhe Minstrja Çitaku kanë informuar atë për reformat që Republika e Kosovës ka përmbushur, duke nënvizuar se Kosova është e gatshme për rrugën e saj Evropiane.
Ata kanë pasur takim edhe me Ministrin për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington. Në këtë takim ata janë siguruar se Britania e Madhe do ta mbështesë Republikën e Kosovën në procesin e integrimeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë ditës Ministri Hoxhaj dhe Minstrja Çitaku do të zhvillojnë takime me shumicën e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nga të cilët do të kërkojnë mbështetjen e këtyre shteteve për agjenden evropiane të Kosovës.